AASF PREZANTON STUDIMIN MË TË RI PËR AGROTURIZMIN NË SHQIPËRI

Shqipëria është një vend bujqësor me vendndodhje të jashtëzakonshme gjeografike, me peizazhe të mrekullueshme dhe mjaft e pasur në kulinari dhe gastronomi. Ndërthurur me traditën e bukur të mikpritjes, Shqipëria ofron një potencial të madh për zhvillimin e agroturizmit.

 

Në vijim Qeveria Shqiptare dhe donatorët e huaj kanë mbështetur sektorin e agroturizmit duke e nxitur përmes skemave të ndryshme lehtësuese dhe asistencës teknike. Gjithesesi, aksesi në financim mbetet ende një nga pengesat kryesore ndërsa paraqet gjithashtu një mundësi për institucionet financiare. Disa nga nevojat e financimit lidhen me rindërtimin e godinave të vjetra, linjat e përpunimit në fermë dhe me aktivitetet e marketingut dhe çertifikimit.

 

Për këtë arsye, Programi i Mbështetjes së Agrobiznesit Shqiptar (AASF), ka publikuar studimin më të ri për “Agroturizmin në Shqipëri: Potencialet për Zhvillim dhe Nevojat Financiare”.

 

Qëllimi i dokumentit është të inkurajojë Institicionet Financiare Partnere (IFP) që të rrisin financimet në agroturizëm dhe të rrisin përqëndrimin e këtyre investimeve në portofolin e tyre duke zhvilluar strategji të dedikuara financimi me produkte të përshtatura kredie për të plotësuar nevojat e financimit të sektorit. Kërkesa e qëndrueshme për investime, e kombinuar me mbështetjen e granteve dhe kredive për investime të reja, është receta kryesore për zhvillimin e sektorit.

 

Ky studim ofron informacione mbi potencialet e zhvillimit të agroturizmit në Shqipëri dhe nevojat e tij financiare për të mbështetur investimet. Më konkretisht, dokumenti hedh dritë mbi potencialet ekzistuese në sektorin e agroturizmit, duke u përqendruar në strategji të ndryshme publike, zhvillimet e fundit, stimujt fiskalë dhe financiarë, analizën SWOT të sektorit dhe një shtjellim të karakteristikave të kërkesës dhe ofertës për kapital në industrinë e agroturizmit për të ofruar disa rekomandime të dobishme për IFP-të.

 

Rekomandimet që sjell ky studim janë të dobishme për IFP-të lidhur me nismat dhe aktivitetet e mundshme që duhet të merren në konsideratë për të përfituar nga potencialet e agroturizmit për zhvillim. Paralelisht, studimi synon të zhvilloi marrëdhëniet e financimit mes Institucioneve Financiare dhe agroturizmit, por jo thjesht në nivel financimi kredie bujqësore, por duke zhvilluar atë me produkte kreditore të larmishme financiare, çka do të krijonte shanse më të mira për të akomoduar kërkesën e tregut dhe për të dhënë kredi të reja.

 

Së fundmi, bankat dhe institucionet financiare duhet ta konsiderojnë rritjen e agroturizmit si një dritare të re në treg dhe ta trajtojnë atë si një segment të ri dhe të zhvillojnë një qasje specifike ndaj riskut të sektorit.

 

 

Studimi mbi “Sektorin e Agroturizmit në Shqipëri” është përgatitur nga Programi i Mbështetjes së Agrobiznesit Shqiptar (AASF), një projekt i financuar dhe zhvilluar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në bashkëpunim dhe me mbështjetje nga Qeveria Shqiptare