AGROTURIZMI NË SHQIPËRI: “POTENCIALET E ZHVILLIMIT DHE NEVOJAT FINANCIARE”

17 Nëntor, 2020 – Programi i Mbështetjes së Agrobiznesit Shqiptar (AASF) në bashkëpunim me programin e BERZH Këshilla për Bizneset e Vogla (ASB) organizuan një webinar me fokus nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit të Agroturizmit nëpërmjet mbështetjes së Institucioneve Financiare Partnere (IFPs).

 

Me më shumë se 200 pjesëmarrës, mes tyre kompani agroturizmi dhe agrobiznesi shqiptar, përfaqësues të institucioneve financiare, ekspertë të industrisë dhe përfaqësues nga institucione qeveritare dhe donatorë, ekspertët e AASF prezantuan një studim të nivelit të lartë në lidhje me Zinxhirin e Vlerave të Agroturizmit në Shqipëri si thelbin e këtij webinari. Z. Ilir Pilku, Eksperti i Lartë i Agrobiznesit i AASF, prezantoi studimin e AASF mbi “Agroturizmin në Shqipëri: Potencialet e Zhvillimit dhe Nevojat Financiare” një dokument që hedh dritë mbi potencialet ekzistuese në sektorin e Agroturizmit, duke shpjeguar strategji të ndryshme publike, zhvillimet e fundit si dhe stimujt fiskal dhe financiare për sektorin.

 

Duke u bazuar në gjetjet e studimit, programi i BERZH ASB, paraqiti objektivin dhe veprimet në kuadër të projektit të financuar nga BE “Modeli i Drejtuar nga Turizmi për Programin e Mbështetjes së Zhvillimit Ekonomik Lokal”. Diskutimi u plotësua me prezantime mbi skemat mbështetëse dhe stimujt për sektorin e agroturizmit të ofruara nga Qeveria e Shqipërisë.

 

Zj. Adela Leka, Zëvendësdrejtoreshë e AASF, prezantoi programin dhe theksoi rëndësinë e tij në mbështetjen e sektorit bujqësor shqiptar dhe të gjithë nën-sektorëve të tij: “Sot ndërmarrjet e agroturizmit dhe agrobizneset po kërkojnë fonde, përveç granteve dhe asistencës teknike. Atyre shpesh u mungon kolaterali për tu financuar nga institucionet financiare. Për të adresuar këtë pengesë, mekanizmat e ndarjes së rrezikut të AASF mund të mbulojnë një pjesë të tij të lidhur me kolateralin për të rritur investimet cilësore dhe efikase në bujqësi. AASF ofron mjete të ndryshme mbështetëse për sektorin e bujqësisë dhe partnerëve të tjerë në sektor”- deklaroi Zj. Leka.

 

Znj. Ardiola Hristic, Menaxhere Programi, BERZH, Këshilla për Bizneset e Vogla, u prezantoi pjesëmarrësve mundësitë që programi ASB ofron për agrobizneset që duan të zgjerohen dhe rriten. “Programi BERZH-it Këshilla për Bizneset e Vogla, ofron më shumë sesa mundësi të mbështetjes financiare për agrobizneset. BERZH ofron këshilla biznesi për bizneset e vogla dhe të mesme, duke përfshirë hartimin e planit të biznesit, marketingun, menaxhimin financiar, rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore dhe ofrimin e asistencës rreth standardeve të sigurimit të cilësisë si ndihmë përgatitore.” – u shpreh Znj. Hristic.

 

Z. Eljo Muçaj, Eksperti i Lartë i Bujqësisë i AASF, foli rreth historive të fundit të suksesit të agroturizmit duke treguar mbi potencialin e sektorit si dhe prezantoi tendencat dhe zhvillimet e fundit të tij, duke përfshirë një analizë gjithëpërfshirëse SWOT.

 

Gjithashtu, përfaqësues nga Raiffeisen Bank dhe OTP Bank, dy nga PFI-të e programit AASF, prezantuan produktet e tyre financiare të përshtatura për nevojat e sektorit të agroturizmit në Shqipëri.

 

Për të parë videon e plotë të këtij webinari, ju lutemi vizitoni linkun: https://lnkd.in/eSqthXH në kanalin e Youtube të AASF.

 

Më shumë se 6,000 fermerë dhe agrobiznese në Shqipëri deri më tani kanë përfituar nga “Programi i Mbështetjes së Agrobiznesit Shqiptar”, një kornizë financimi e zhvilluar nga BERZH në bashkëpunim dhe mbështetje nga Qeveria e Shqipërisë.